Selam Alejkum (Mirë se vini)

Qëndrimi i muslimanit ndaj asaj që ka ndodhur mes Sahabëve të Pejgamberit [s.a.v.s]

Jemi të detyruar t’i duam Sahabet, shokët e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] dhe të jemi të kënaqur me ta.
    Për ato që kanë ndodhur mes tyre duhet të heshtim dhe t’i kemi zemrat e dëlira nga urrejtja dhe zilia ndaj tyre, apo (Zoti na ruajt) nga sharja e tyre.

 

       Thotë All-llahu [subhanehu ve teala]:
       “Dhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “Zoti ynë! Na fal ne dhe vëllezërit tanë që qenë para nesh në Besim dhe mos na fut në zemrat tona asnjë grimcë urrejtje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë! Vërtet që Ti je shumë Dashamirës, Mëshirëplotë.” [El-Hashr, 10]
        Ka thënë Kubejsa Bin Akabe [radijallahu anhu]: “Dashuria ndaj të gjithë shokëve të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] është sunnet.”
        Aishja, nëna e besimtarëve, habitet me ata njerëz të humbur, që me gjuhët e tyre shajnë shokët e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], dhe i thotë të birit të motrës se vet, Urvetu bin Zubejrit: O biri i motrës sime, ata janë urdhëruar që të bëjnë dua për Sahabet e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], kurse ata po i shajnë!!!
        Ka thënë Sefarini: “Duhet që çdoherë t’i përmendim të mirat e tyre, të jemi të kënaqur me ta dhe të kemi dashuri për ta. Nuk duhet të hedhim fajësim tek ndonjëri prej tyre, sepse ata janë të arsyetuar. Ajo çka ka ndodhur mes tyre ka qenë një ixhtihad (përpjekje për të mirë), as kanë bërë kufër e as mëkat. Por, shpresojmë që të jenë shpërblyer nga All-llahu, sepse ata janë munduar për hakun dhe të drejtën. Imam Ahmed bin Hambeli e qortonte atë që zhytej në këtë tematikë. Ai gjithnjë përmendëte vlerat e tyre. E kush i shante ata, ai ua merrte anën. Thonte: Për atë që ka ndodhur mes tyre duhet të heshtim.”
        Është pyetur Umer bin Abdul-Azizi [Allahu e mëshiroftë] për luftën që ka ndodhur mes Sahabeve. Është përgjigjur: Aty është derdhur një gjak, që All-llahu m’i ka pastruar duart (nga derdhja e atij gjaku), a nuk më takon mua ta ruaj gjuhën time për atë që ka ndodhur?! Shembulli i Sahabeve të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] është sikur syri, shërimi i syrit është mos ta prekësh.”
        Ka thënë Bejhakiu, duke i komentuar fjalët e Umer bin Abdul-Azizit: “Këto janë fjalët më të mira, sepse heshtja për atë që nuk të duhet është më e mira.”
        Është pyetur Hasan El-Basriu [Allahu e mëshiroftë] për ndodhin mes Sahabëve [radijallahu anhum]. Është përgjigjur: “Ajo ka qenë një përleshje, në të cilën ishin prezent Shokët e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] e ne aty nuk ishim. Ata ka ditur më mirë, e ne jo. U bashkuan në Islam dhe na takon t’i pasojmë, e për përleshjen e tyre na takon të distancohemi.”
        Kuptimi i fjalëve të Hasan El-Basriut: Sahabët ishin më të ditur për atë që kanë bërë. E neve nuk na takon tjetër pos t’i pasojmë në ato çështje që ishin të pajtimit. E për përleshjen e tyre distancohemi dhe nuk ngutemi të shpikim ndonjë qëndrim që nuk na takon.
        Ka thënë Ahmed ibën Hambeli [Allahu e mëshiroftë], pasi që është pyetur: Çfarë thua për atë që ka ndohur mes Aliut dhe Muaviut? I është përgjigjur: Nuk kam ç’të them tjetër pos të mirave të tyre.”
        Ka thënë Ibrahim bin Azer El-Fekih: “Isha në një tubim të Imam Ahmedit kur një person e pyeti për atë që ka ndodhur mes Aliut dhe Muaviut, mirëpo nuk iu përgjigj. I thanë: O Ebu Abdullah, ky është një person prej fisit Benu Hashim. Pastaj i tha atij: Lexoje fjalën e All-llahut [subhanehu ve teala]: “Ai popull tashmë ka kaluar. Ata do të marrin shpërblimin për çfarë fituan, dhe ju do të shpërbleheni për çfarë ju do të fitoni dhe ju nuk do të pyeteni për çfarë ata punuan.” [El-Bekare, 134]
        Ka thënë Ebu Abdullah bin Batta, duke spjeguar Akiden e Ehli Sunnetit dhe Xhematit: “Pas asaj që ka ndodhur mes Sahabëve të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] duhet të heshtim. Ata ishin që e ndihmuan Pejgamberin [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] në shumë luftra dhe i tejkaluan njerëzit me punë të mira, All-llahu ua ka falur atyre mëkatet. Gjithashtu të ka urdhëruar ty që të bësh dua për ta dhe të bësh ibadet duke i dashur ata dhe këtë përmes gjuhës së Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], bile ai e ka ditur se çfarë do të ndodhë mes tyre dhe e ka ditur se do të përleshen. Mirëpo, ata janë të ngritur mbi njerëzit tjerë, gabimi me dashje apo pa dashje, është i falur për ta. Çdogjë që ka ndodhur mes tyre është e falur për ta.”
        Ka thënë Ebu Beker bin Et-Tajjib El-Bakilani: “Duhet të dihet se për atë që ka ndodhur mes Sahabëve duhet të distancohemi, të bëjm dua për ta dhe t’i përmendim të mirat e tyre dhe të kërkojm prej All-llahut që të jetë i kënaqur me ta, t’i sigurojë dhe t’ua jap atyre Xhennetet. Ne kemi bindjen se Aliu [radijallahu anhu] ia ka qëlluar për atë që ka bërë dhe inshallah i ka dy shpërblime. Edhe ajo që kanë bërë Sahabet ka qënë ixhtihad dhe inshallah do të kenë një shpërblim. E nuk na takon t’i gjuajm me mëkate e as me bidate. Argument për këtë është fjala e All-llahut: “Sigurisht që Allahu ishte i kënaqur me besimtarët kur ata të dhanë besën ty (O Muhammed) nën pemë. Ai e dinte mirë se ç’farë kishte në zemrat e tyre, pra Ai zbriti Es-Sekineh (butësinë, gjakftohtësinë e qetësinë) mbi ta dhe Ai i shpërbleu ata me fitore të afërt.” [El-Fet’h, 18] Dhe Fjala e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]: “Nëse përpiqet gjykatësi dhe ia qëllon do t’i ketë dy shpërblime. E nëse përpiqet dhe gabon ka vetëm një shpërblim.”
        Nëse për një gjykatës në kohën tonë kur të përpiqet ka dy shpërblime, vallë si qëndron puna me atë që All-llahu është i kënaqur?!
        Këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] kur tha për Hasanin [radijallahu anhu]: “Vërtet ky biri im është zotëri. All-llahu me të do t’i pajtojë dy grupe të mëdha prej muslimanëve.” [Buhariu, 7109]
        Dmth, i cilësoi të dy grupet me madhështi dhe i gjykoi të dyja palët me Islam. All-llahu ka premtuar se do t’ua heq nga zemrat e tyre zilinë, siç përshkruhet në ajet: “Ne kemi hequr prej zemrave të tyre çfarëdo urrejtje, e ata në mbështetëse qëndrojnë ballë për ballë njëri-tjetrit duke qenë të vëllazëruar.” [El-Hixhr, 47]
        Ka thënë Ibën Tejmije [Allahu e mëshiroftë] duke spjeguar Akiden e Ehli Sunnetit dhe Xhematit rreth çështjes së përleshjes së Sahabëve: “(Ehli Sunneti dhe Xhemati) Ndalën për atë që ka ndodhur mes Sahabëve dhe thojnë se transmetimet, të cilat janë transmetuar për ta, prej tyre ka që janë gënjeshtra, prej tyre ka që janë shtuar ose pakësuar për t’a shtrëmbuar realitetin. Realiteti është se ata janë të arsyetuar, disa u përpoqën dhe ia qëlluan e disa u përpoqën dhe nuk ia qëlluan.”
        Ka thënë Ibën Kethiri: “Prej asaj që ka ndodhur mes Sahabëve të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ose ka ndodhur paqëllim, siç është Dita e Xhemelit, ose sipas ixhtihadit që kanë bërë, siç është Dita e Siffinit. Është e ditur se ai që bën ixhtihad edhe mund të gabojë, mirëpo është i arsyetuar. Edhe nëse gabon do të shpërblehet. Ndërsa për atë që ia qëllon ka dy shpërblime.”
        Ka thënë Ibën Haxher El-Askalani: “Ehlu Sunneti janë të pajtimit se është e ndaluar të fajësohet ndonjëri prej Sahabëve për atë që ka ndodhur mes tyre, edhe nëse dihet se cili ishte në të drejtë. Ata nuk janë përleshur për tjetër pos duke bërë përpjekje për të vërtetën. Vërtetohet se ai që gabon duke bërë ixhtihad ka shpërblim, e për atë që ia qëllon ka dy shpërblime.”
        Ehlu Sunneti janë të njëzëri se duhet heshtur për fitnen që ka ndodhur mes Sahabëve pas vrasjes se Othmanit [radijallahu anhu]. Duhet bërë dua për ta, duhet ruajtur të mirat e tyre dhe duhet pranuar se ata janë të paarritshëm në mirësi, All-llahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata.
 

Search site

Punuar nga Talha Raka © 2008. Të gjitha të drejtat i mban autori.