Selam Alejkum (Mirë se vini)

Sunetet e Abdesit

 

1. Përmendja e Allahut në fillim të abdestit

Thënia e “Bismilahit” para fillimit të abdestit është sunet, pasi nga tradita e të Dërguarit alejhi selam ishte që ta fillonte çdo vepër me të dhe se për këtë janë transmetuar hadithe.

A është vaxhib “besmeleja” gjatë abdestit?
Dijetarët e medh`hebit hanbeli kanë thënë se “besmeleja” para abdestit është vaxhib, duke argumentuar me hadithin që përcillet nga Muhamedi alejhi selam: “Nuk ka abdest ai që nuk e përmend emrin e Allahut në fillim.” (Shënon Tirmidhiu dhe Albani e cilëson të saktë.)
Kurse shumica e dijetarëve të tjerë (hanefi, maliki dhe shafi) i përmbahen qëndrimit se thënia e “bismilahit” është sunet. Ata kanë argumentuar me këto argumente:

a) Me hadithin që transmetohet nga Muhamedi alejhi selam, se ka thënë: “Merr abdest ashtu si të ka urdhëruar Allahu.” (Shënon Tirmidhiu dhe Albani e cilëson të saktë) E, në ajet nuk përmendet “bismilahi”.
b) Ebu Davudi shënon një hadith nga Ebu Hurejra, edhe më të qartë në këtë. I Dërguari alejhi selam thotë: “Nuk do të pranohet namazi i ndonjërit nga ju derisa mos t`i paraprijë abdesti ashtu si ka urdhëruar Allahu i Lartësuar; ta pastrojë fytyrën e tij, duart deri në bërryla, t`i japë mes`h kokës së tij, t`i pastrojë këmbët deri në nyje...”, në këtë hadith nuk është përmendur “besmeleja”, me çka nënkuptohet se nuk është obligative kjo gjatë abdestit. Po të ishte, do ta përmendte i Dërguari alejhi selam.
c) Të gjithë ata që përcjellin formën e abdestit të Muhamedit alejhi selam nuk përmendin “besmelën”.

Kurse përgjigja ndaj hadithit me të cilin ata argumentojnë se është vaxhib “besmeleja” është se hadithi është daif (i cilësuar ashtu nga një numër i madh i muhadithinëve, si, Neveviu, Bejhkiu, Bezari, Ahmedi, etj.). por edhe nëse themi se është i saktë (apo hasen), atëherë nga hadithi nuk nënkuptohet mohimi i vërtetësisë së abdestit, por mohimi i përsosmërisë së abdestit.

2. Larja e duarve deri në nyje tri herë
Pasi vërtetohet në hadithin të cilin e shënon Buhariu se kur i Dërguari alejhi selam fillonte të merrte abdest, së pari i lante grushtet tri herë.
Nëse muslimani zgjohet nga gjumi, atëherë duart duhet të lahen tri herë para se të futen në enë për të marrë abdest, duke u bazuar në thënien e Profetit: “Nëse dikush zgjohet nga gjumi, të mos i fusë duart në enë pa i larë më parë tri herë, sepse nuk dihet ku e ka vënë dorën gjatë gjumit
"1, kjo ka të bëjë me personin që bën gjumin e natës. Ndërsa nëse njeriu do të marrë abdest në kohë të zakonshme, atëherë nuk ka gjë nëse i fut duart direkt në enë për t`i larë duart.

3. Të filluarit me larjen e gojës dhe hundës tri herë para fytyrës, do të thotë pas larjes së grushteve. Më e mira është që me një grusht të lahet hunda edhe goja. Argument për këtë është hadithi i Abdull-llah Ibn Zejdit radijall-llahu anhu, i cili tregonte mënyrën e abdestit të Resulullahut salallahu alejhi ue selem dhe ndërmjet të tjerash tha: “Lau gojën dhe hundën me një grusht dhe kështu veproi tri herë.”
2

4. Larja mirë e gojës me kujdes të veçantë duke e lëvizur ujin brenda nga njëra anë në tjetrën dhe nxjerrjen e tij, pastaj edhe hundën duke e thithur ujin brenda në hundë dhe shfryrjen e tij është gjithashtu e preferuar për atë që nuk është agjërues. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë:
“Laje hundën mirë, në përjashtim të rastit kur je agjërueshëm.”3

5. Përdorimi i misvakut gjatë pastrimit të gojës. Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë:
“Sikur mos t’i vinte rëndë umetit tim, do t’i urdhëroja ta përdornin misvakun në çdo abdest.”4

6. Larja e mjekrës duke futur në të gishtat e lagur.5

7. Larja ndërmjet gishtërinjve të duarve dhe të këmbëve, pasi edhe kjo vërtetohet në disa transmetime në të cilat tregohet forma e abdestit të të Dërguarit alejhi selam.

8. Dhënia përparësi anës së djathtë, duke u bazuar në hadithin e Aishes radijall-llahu anha, e cila ka thënë: “Muhamedi salallahu alejhi ue selem e donte anën e djathtë gjatë mbathjes së nallaneve të tij, gjatë krehjes së flokëve dhe gjatë larjes së tij dhe në çdo veprim (të mirë).”
6 Gjithashtu duke u bazuar në hadithin e Uthmanit, i cili tregonte abdestin e Resulullahut salallahu alejhi ue selem, ku fillonte me larjen e anës së djathtë e pastaj të së majtës.
9. Pastrimi i gjymtyrëve gjatë marrjes së abdestit nga tri herë. E argument për këtë është hadithi i Uthmanit. Gjithashtu transmetohen hadithet se Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka larë pjesët e trupit nga një herë dhe nga dy herë, përveç kokës dhe veshëve.
7

10. Fërkimi gjatë larjes, do të thotë që shuplakat e dorës të përfshijnë tërë pjesët gjatë larjes.
8

11. Duaja pas abdestit
Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë:
“Kur dikush prej jush merr abdest mirë e pastaj thotë: “Eshhedu en la ilahe il-lall-llah vahdehu la sherike lehu ve eshhedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu”, (dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut, i Cili është Një pa ortak dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij) i hapen tetë dyer të xhenetit për të hyrë nga cila derë dëshiron.”9
Kurse te Tirmidhiu gjejmë edhe këtë shtesë: “All-llahummexha’lni minet-tevvabine vexhe’alni minel-mutetaharine.”
(Allahu ynë, na bëj nga ata që pendohen dhe na bëj nga ata që pastrohen).

Kurse Ebu Seid el-Hudriu radijall-llahu anhu transmeton nga Muhamedi salallahu alejhi ue selem, i cili thotë:
“Kush merr abdest dhe thotë: “Subhanekell-llahumme ve bihamdike Eshhedu en la ilahe il-la ente, estagfiru ve etubu ilejke”, (I lavdëruar dhe i falënderuar qofsh Allahu ynë, dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Teje, kërkoj falje dhe pendohem te Ti). Kjo thënie shkruhet në një fletë, pastaj vuloset e nuk thyhet deri në Ditën e Kiametit.”
10


*A është sunet dhënia mes`h qafës gjatë abdesit?
Fërkimi i qafës, apo dhënia mes`h gjatë abdesit, është e njohur tek dijetarët e medhhebit hanefi. Imam Kasani (nga dijetarët hanefi) në librin e tij “Bedaiu sanai”, përmend se te dijetarët hanefi ka mendime rreth dhënies mes`h qafës. Ai thotë: “Disa nga këta dijetarë të nderuar kanë mendimin se ajo është sunet, kurse disa të tjerë thonë se kjo konsiderohet nga edukata (adabet) e abdestit.”
11
Duket se ata që kanë thënë se është sunet, kanë marrë për bazë një hadith që transmetohet nga Abdullah Ibën Umeri, se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: ”Kush merr abdest dhe i jep mes`h qafës, Ditën e Gjykimit do të jetë i shpëtuar nga lidhja (me zinxhirë) për qafe.”
Por hadithi është cilësuar nga shumë dijetarë si hadith i dobët. Autori i librit “Kenzu umal”, dijetari Mufti Hindi, thekson se hadithi për dhënien mes`h qafës është batil (i kotë), (d.m.th. shumë i dobët). Ibën Kajimi në një libër të tij me titull “Menaru Munif”, ku sqaron kriteret dhe format se si duhet të dallohen hadithet e dobëta nga të saktat, e përmend këtë hadith si shembull për hadithet e dobëta.
Kurse ata dijetarë hanefi të cilët nuk thonë se është sunet, por e konsiderojnë nga normat (adabet) e abdesit, marrin për bazë se Ebu Hurejra, kur merrte abdest, i lante krahët mbi bërryla dhe këmbët mbi nyje (pra më shumë seç kërkohej). Njëherë, kur u pyet se përse vepronte kështu, ai u përgjigj: “Ky është forcim i shkëlqimit (të dritës).” duke aluduar për hadithin e Resulullahut: “Umetit tim do t`i shkëlqejnë me rrezet e dritës gjurmët e abdestit.” Ebu Hurejra shton dhe thotë: “Nëse ndonjëri prej jush mund t`i forcojë rrezet e dritës, atëherë ai duhet të bëjë këtë gjë.” (Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Ahmedi)
Pra, ata kanë thënë se nga normat gjatë marrjes së abdestit është që muslimani të zgjerojë pjesët të cilat i lan, ashtu siç vepronte Ebu Hurejra, që do të thotë se nëse e lagim qafën gjatë adestit, atëherë ajo do të na shndrisë në Ditën e Gjykimit.
Këto ishin qëndrimet e këtyre dijetarëve që thonë se preferohet dhënia mes`h qafës. Vlen të përmendet këtu edhe ajo se ky mendim thuhet se është edhe thënie e dijetarëve shafi, por Imam Neveviu e mohon këtë pretendim dhe thotë se kjo nuk qëndron te shafitë, por ajo që qëndron tek ata është se kjo nuk është e preferuar.
Në fund, themi se dhënia mes`h qafës nuk ka argument as nga Kurani e as nga hadithi, përveç disa haditheve të dobëta, ashtu siç i përmendëm më lart. Mendimi më i saktë në këtë është se ajo nuk është sunet, pasi nuk ka bazë dhe ky është mendimi i shumicës së medh`hebeve (maliki, shafi, hanbeli). Gjithashtu edhe fukahatë e mëvonshëm që kanë ardhur e vërtetojnë se ajo nuk qëndron se është sunet. Është e njohur te juristët islamë se hadithi i dobët nuk mund të jetë argument bazë për të ligjësuar ndonjë dispozitë e në këtë rast thënia se kjo (dhënia mes`h qafës) është sunet.
Argumentimi me hadithin e Ebu Hurejrës gjithashtu nuk qëndron, për shkak se ky është vetëgjykim (ixhtihad) i Ebu Hurejrës dhe nuk aludon që kjo të bëhet dispozitë dhe me të të punojnë tërë muslimanët, pasi atë nuk e kanë bërë më të mirët e umetit, Resulullahu, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, dhe sahabët, të cilët kanë qenë shoqëruesit e tij dhe asnjëri nga ata nuk tregon se i Dërguari salallahu alejhi ue selem e bënte një gjë të tillë.
Në librin e Dusukit (nga dijetarët maliki) thuhet: “Nuk preferohet zgjerimi i pjesëve të abdestit nga ajo që është e caktuar, por shtimi konsiderohet i urryer, për shkak se kjo është nga teprimi (ekstremiteti) në fe. Ajo që preferohet është pastrimi i këtyre pjesëve vazhdimisht dhe përtëritja e abdestit dhe nuk preferohet pastrimi i qafës”.
Në këtë që u tha aludon edhe hadithi i të Dërguarit salallahu alejhi ue selem, që e transmeton Buhariu dhe Muslimi, se një njeri erdhi tek i Dërguari alejhi selam dhe ai i tregoi formën e abdestit, pastaj tha: “Kështu merret abdesti dhe kush shton në këtë, ai vetëm ka bërë keq, i tejkaloi kufijtë dhe ka bërë zullum.”
Në fund, pasi kuptuam se mendimi më saktë është se ajo nuk është sunet e as prej normave (adabeve) të abdestit, tani mbetet të kuptojmë se a është bidat.
Dhënia mes`h qafës nuk është bidat dhe nuk është fare e drejtë që ajo të quhet bidat, pasi praktikimi i tij është qëndrim i disa dijetarëve, ashtu siç sqaruam më lart dhe në këtë çështje ka mospajtim te dijetarët. Rregulli i përgjithshëm në sheriatin islam është nëse në një çështje ka mospajtim te fukahatë dhe ka mendime të ndryshme në të, nuk lejohet të injorohet ai mospajtim dhe të themi se mendimi i parë apo i dytë është bidat. Kuptohet, këtu është fjala për ato mospajtime që janë të lejuara në Islam. Prandaj, në këtë rast shfrytëzojmë rastin që t`i këshillojmë vëllezërit tanë që të kenë kujdes dhe mos të nxitojnë në nxjerrjen e gjykimeve qoftë ndaj disa çështjeve, apo edhe njerëzve. Pothuajse kjo tani është bërë fenomen te disa prej djemve, që pa dyshim nuk cenojmë qëllimin e tyre, por mosnjohja si duhet e disa çështjeve i bën ata të nxitojnë në gjykime të tilla. Allahu e di më së miri!

 

Search site

Punuar nga Talha Raka © 2008. Të gjitha të drejtat i mban autori.